TIRANË - Në Partinë Socialiste nuk do të ketë zgjedhje për kryetarin, mandati i të cilit është i përcaktuar në statut për 4 vjet, e që aktualisht kryesocialisti Rama drejton partinë prej 7 vitesh. Konfirmimin e ka dhënë vetë shefi i qeverisë Edi Rama për emisionin ?5 Pyetjet nga Babaramo? në Report Tv, kur sqaroi se Partia Socialiste është organizuar sipas modelit të laburistëve të rinj. Sipas këtij modeli ? theksoi Rama ? fitorja në zgjedhjet e përgjithshme, ku ai u zgjodh kryeministër, konsiderohet konfirmim i mandatit të liderit të partisë, ashtu siç është edhe në rastet e kryeministrit David Cameron dhe laburistit Tony Blair.
?Cameron u zgjodh kryeministër nuk di të ketë bërë dhe nuk ka për të bërë zgjedhje për kryetar partie. Ashtu si Toni Bler u zgjodh 3 herë kryeministër dhe nuk bëri asnjëherë zgjdhje?, tha Rama.
?Ky debat ? sipas tij - mund të vlente kur partia humb zgjedhjet, por partia ka fituar dy herë zgjedhjet?.
?Ju siguroj që nuk më mungon ndonjë rikonfirmim pasi kemi fituar dy palë zgjedhje dhe e kam parë krejtësisht pa lidhje t'i angazhojmë forcat në një fushatë brenda partisë pasi kishim fituar zgjedhjet. Unë jam zgjedhur nga shqiptarët së bashkë me PS dhe aleatët për të realizuar programin tonë për rilindjen?, - tha shefi i qeverisë.
Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e sheh si rival për kryetar deputetin Ben Blushi, i cili shpalli kandidaturën në rast se në PS do të kishte zgjedhje, por shtoi se me zërin kundër brenda partisë Blushi nuk e ka kaluar vijën e kuqe sa për tu përjashtuar nga Partia Socialiste.
Rama u shpreh se Kongresi i PS-së që pritet të mblidhet do të marrë vendim sa i përket rregullave të zgjedhjes së kryetarit në rast se ai ka fituar zgjedhjet e përgjithshme, siç ndodhi me Ramën në qershor 2013.