Report TV - Mbyllet procesi 'Divjaka', 15 vite burg Riformatos për trafik droge

2016-02-01 1

TIRANE - Me dënimin me 15 vite burg të pilotit italian Giorgio Riformato, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë mbylli procesin për grupin e 7 të pandehurve për trafikun e drogës me avion nga Shqipëria në Itali, i cili u zbulua nga policia në Plazhin e Divjakës. Gjykata vendosi të konfirmojë kërkesën e Prokurorisë për dënimin e Riformatos me 15 vjet heqje lirie, duke i dhënë fund procesit të gjykimit në Shkallën e Parë të drejtësisë pas 18 seancave.

Prej nisjes së procesit gjyqësor, italiani Riformato i cili u kap në flagrancë në plazhin e Divjakës pas rrëzimit të avionit të cilin ai drejtonte, ka mohuar të ketë pasur rolin e transportuesit të sasisë prej 305 kilogramëve hashash që u gjetën në një makinë në zonën e Plazhit. Gjatë mbrojtjes Riformato akuzoi prokurorinë se ka sjell prova të pavërteta ndaj tij, aq sa i cilësoi fantazi dhe jo hetime sipas ligjeve shqiptare. Në përfundim të procesit dhe njohjes me dënimin prej 15 vite burg, piloti nuk pati asnjë reagim.

Ndryshe nga bashkëpunëtorët e tij të cilët pranuan gjykimin e shkurtuar, Riformato nuk u "dorëzua" të pranojë akuzat, cka do të thotë se nuk përfiton ulje të dënimit me 1/3.

Më 25 nëntor të 2015 për bashkëpunëtorët Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj , Kristjan Demce , Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe, Orgest Bilbili Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dha në total 47 vite burg.

Piloti italian Giorgio Riformato u arrestua në maj të vitit 2014 u kap në plazhin e Divjakës, pas rrëzimit të avionit që ai pilotonte. Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin të pranishëm dhe pjesëtarë të ambasadës Italiane.

Akuza ndaj tyre është trafik ndërkombëtar i drogës kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë. Sipas Prokurorisë, avioni u ul në Divjakë për tu ngarkuar me drogë e për ta trafikuar më tej në shtetin fqinj. Organi i akuzës argumenton se avioni nuk u ngrit dot për shkak të problemeve teknike.

Në 10 maj të vitit 2014, avioni që pilotohej nga Giorgio Riformato u rrëzua në plazhin e Divjakës. Shumë pranë tij, policia gjeti sasinë prej 305 kilogramë hashash në një makinë, ndërsa në pranga ra Saimir Bajrami. Këtij të fundit policia i gjeti në atë kohë edhe 27 mijë euro, që u menduan se ishte kësti i parë i pagesës për pilotin që akuzohet se do të kryente transportin e lëndës narkotike.

Nga hetimet rezultoi se ky grup trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë në rrugë ajrore duke përdorur avion turistik, në këtë rast avionin e pilotit italian.