TIRANE - Me dënimin me 15 vite burg të pilotit italian Giorgio Riformato, Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë mbylli procesin për grupin e 7 të pandehurve për trafikun e drogës me avion nga Shqipëria në Itali, i cili u zbulua nga policia në Plazhin e Divjakës. Gjykata vendosi të konfirmojë kërkesën e Prokurorisë për dënimin e Riformatos me 15 vjet heqje lirie, duke i dhënë fund procesit të gjykimit në Shkallën e Parë të drejtësisë pas 18 seancave.
Prej nisjes së procesit gjyqësor, italiani Riformato i cili u kap në flagrancë në plazhin e Divjakës pas rrëzimit të avionit të cilin ai drejtonte, ka mohuar të ketë pasur rolin e transportuesit të sasisë prej 305 kilogramëve hashash që u gjetën në një makinë në zonën e Plazhit. Ndryshe nga bashkëpunëtorët e tij të cilët pranuan gjykimin e shkurtuar, Riformato nuk u "dorëzua" të pranojë akuzat, cka do të thotë se nuk përfiton ulje të dënimit me 1/3.
Për bashkëpunëtorët Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj , Kristjan Demce , Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe, Orgest Bilbili Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dha në total 47 vite burg.
Piloti italian Giorgio Riformato u arrestua në maj të vitit 2014 u kap në plazhin e Divjakës, pas rrëzimit të avionit që ai pilotonte.
Akuza ndaj tyre është trafik ndërkombëtar i drogës kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë.
Sipas Prokurorisë, avioni u ul në Divjakë për tu ngarkuar me drogë e për ta trafikuar më tej në shtetin fqinj. Organi i akuzës argumenton se avioni nuk u ngrit dot për shkak të problemeve teknike.
Në 10 maj të vitit 2014, avioni që pilotohej nga Giorgio Riformato u rrëzua në plazhin e Divjakës. Shumë pranë tij, policia gjeti sasinë prej 305 kilogramë hashash në një makinë, ndërsa në pranga ra Saimir Bajrami. Këtij të fundit policia i gjeti në atë kohë edhe 27 mijë euro, që u menduan se ishte kësti i parë i pagesës për pilotin që akuzohet se do të kryente transportin e lëndës narkotike.
Nga hetimet rezultoi se ky grup trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Italisë në rrugë ajrore duke përdorur avion turistik, në këtë rast avionin e pilotit italian.
Dënimet
Giorgio Riformato 15 vite burg
Saimir Bajrami 9 vite 4 muaj
Mariglen Ymeraj 9 vite 4 muaj
Aurel Pule 6 vite e 8 muaj
Orges Bilbili 7 vite 4 muaj
Kristi Demce 7 vite 4 muaj
Kleviol Ahmeti 7 vite 4 muaj