TIRANË - 48 orë pas arrestimit, ish-ministri i Punës në qeverinë Berisha ka dalë para Gjykatës së Tiranës ku u njoh me masën e sigurisë "arrest me burg", ndërsa u prezantua me kombësi greke e shtetësi shqiptare.
Ish-ministri Spiro Ksera u vu në pranga mbrëmjen e së premtes në fshatin Derviçan të Gjirokastrës pak orë pasi ai u kthye nga Greqia. Ky fakt konfirmohet për Report Tv nga burime pranë Policisë së Gjirokastrës të cilët dhe pse kishin marrë urdhër ndalimin nuk e kishin ekzekutuar pasi Ksera ndodhej jashtë vendit.
Report Tv ka zbardhur dhe urdhër ndalimin e prokurorit Tavani, ku sipas hetimeve rezulton se Ksera ka përgjegjësi penale për vjedhjen e 30 milionë lekëve.
Prej të shtunës në mëngjes ish-ministri Ksera u transferua në Policinë e Tiranës ndërsa ai qëndroi në një ambjent të veçuar në dhomën nr.6 të paraburgimeve në ambjentet e drejtorisë dhe tashmë pas arrestit me burg ai do të vendoset në paraburgimin 313.
Ndërkohë avokati i Kserës, Genci Gjokutaj e kundërshtoi arrestin me burg pasi sipas tij ish-ministri nuk i shmanget hetimit dhe ai do të apeloj arrestin me burg.
Ja vendimet e gjykatës për bashkëpunëtorët e Kserës deri më tani
1-Elda Kozaj-"detyrim paraqitjeje"
2-Artevis Mene-"Arrest me burg"
3-Pranvera Lila-"detyrim paraqitjeje"