Report TV - Inspektimet/ Rama: Brenda këtij viti Vlora me port gjigant jahtesh

2016-01-30 5

VLORË - Brenda disa muajsh, për herë të parë, anije të mëdha turistikë mund të ankorohen në portin e Vlorës. Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet për rehabilitimin e plotë të portit, i cili parashikohet të përfundojë brenda vitit, duke përfshirë thellimin e basenit aktual , ndërtimin e një sheshi kryesor mallrash dhe një terminali modern udhëtarësh, një investim ky prej 15 milionë eurosh .

?Porti i Vlorës është konceptuar si pjesë e projektit të Lungomares, që vazhdon nga porti drejt Pyllit të Sodës. Pjesë e këtij projekti është edhe ndërtimi i një porti jahtesh, ndërsa Rruga e re Transballkanike, e cila ka përfunduar, do të ketë edhe një segment të dytë që nis nga rruga ekzistuese deri në port?, - u shpreh Kryeministri.


Më pas gjatë inspektimit të punimeve për segmentin rrugor që lidh rrugën Transballkanike me superstradën Fier-Vlorë, një investim me vlerë rreth 346 milion lekë, kryeministri la personalisht porositë e tij. Në bisedën që zhvilloi me ekspertët Rama kërkoi t'i kushtohet shumë vëmendje cilësisë së punës, për të ofruar një infrastrukturë të denjë për një qytet mesdhetar turistik.

?Hymë në një qytet mesdhetar turistik, trotuaret duhet të jenë perfekt, ndriçimi duhet të jetë perfekt, gjelbërimi duhet të jetë i tillë. Në të dyja anët duhet të jetë e gjitha 2 me shirita pemësh të rritura pak, në mënyrë që brenda dy-tre vjetësh të krijojnë një kurorë dhe të hijezojnë. Pastaj do të vazhdojmë segmentin tjetër deri tek drejtoria e portit që të bëjmë standartizimin. Rëndësi ka që ky segment i hyrjes në këtë sezon të jetë komplet tjetër?, tha kryeministri.

Rruga Transballkanike është një investim me rëndësi strategjike në infrastrukturën jo vetëm të qytetit të Vlorës, por edhe të vendit dhe përfundimi i saj do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e mjeteve të transportit në hyrje dhe dalje të qytetit të Vlorës.

Kryeministri inspektoi dhe rrugën e spitalit të Vlorës. Ndërkohë në qytetin të cilin e nxori deputet ai ndodhej dhe në kuadër të hapjes së fushatës për zgjedhjen e delegatëve të kongresit dhe anëtarësimet e reja të partisë.