Policia Kufitare e Turqisë ka gjetur droge mbrëmjen e së premtes në një autobus shqiptar, që transportonte 35 anëtarë të Forumit Rinor Socialist Shqiptar dhe disa pasagjerë të rastësishëm.
Autobusi ishte nisur nga Tirana në drejtim të Stambollit, duke kaluar më parë mes për mes Greqisë. Droga është zbuluar në pikën doganore të Ipsala-s, që ndodhet në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.
Për pasojë shoferi i autobusit, ndihmës shoferi, guida dhe një tjetër person janë ndaluar nga policia.
Drejtues të FRESSH pohojnë se droga u është gjetur pasagjerëve të tjerë të cilët nuk kanë lidhje me grupin dhe i janë bashkuar udhëtimit pasi kishin të njëjtin destinacion.
?Të gjithë freshistët kanë arritur në Stamboll dhe asnjëri prej tyre nuk është ndaluar. Ka pasur dyshime nga autoritetet që kanë ndaluar autobusin. Është ndaluar shoferi, ndihmësi dhe një pasagjer. Pjesës tjetër të pasagjereve, pasi u janë dorëzuar bagazhet, u është vënë në dispozicion një tjetër mjet që i ka dërguar në destinacion, Stamboll. I gjithë grupi i 35 aktivistëve të FRESSH është në Stamboll ku po vazhdon programin e parashikuar. Asnjë prej të ndaluarve nga autoritetet turke nuk i përket grupit të aktivistëve të FRESSH.?, sqaroi për Shqiptarja.com Joleza Koka, kryetare e FRESSH.