Report TV - Ish-shefi i Krimit Ekonomik i përfshirë në vrasjen e Çollakut

2016-01-30 8

TIRANË - Në rrëmbimin e më tej vrasjen e Gazmend Çollakut në 6 janar të këtij viti rezulton i përfshirë edhe ish-shefi i krimit Ekonomik Ervin Dalipaj, i cili është shpallur në kërkim. Ky fakt mësohet nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit, të cilat sqaruan për Shqiptarja.com se ndaj Dalipajt është lëshuar urdhër arresti. Gjykata Krimeve të Rënda Tiranë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë Arrest me burg për veprën penale të rrëmbimit në bashkëpunim dhe armëmbajtjes pa leje, duke përjashtuar kështu akuzën e vrasjes.

Po ashtu policia ka arrestuar një të dyshuar si autor të ekzekutimit të Çollakut. 33-vjeçari nga Durrësit Denis Shtraza u arrestua mbrëmjen e së enjtes në aeroportin "Nënë Tereza" në Rinas në tentativë për tu larguar nga vendi, drejt Italisë. Prova më e fortë e prokurorisë që lidh Shtrazën dhe Dalipajt me vrasjen, janë gjurmët e gjakut të gjetura në fashat plastike me të cilat ishte lidhur 34-vjeçari Çollaku, i cili u gjet i pajetë anë një rruge në Fushë-Krujë një ditë pasi ishte rrëmbyer në Durrës nga disa persona të veshur me simbole të policisë.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë për Shqiptarja.com se Shtraza dhe ish-shefi i Krimit Ekonomik janë ndaluar edhe më parë nga policia gjatë kontrolleve që nisën menjëherë pas ekzekutimit të biznesmenit Gazmend Çollaku, por që u lanë përkohësisht të lirë. Pas provave bindëse që lidhin këta dy persona me vrasjen, policia mundi të vë në pranga Shtrazën, ndërsa ish-oficeri i policisë është ende në kërkim.

Ervin Dalipaj ka drejtuar Krimin Ekonomin në Drejtorinë e Tiranës në vitin 2013, ndërsa ka qenë edhe shef i krimeve në Komisariatin numër 4.