Report TV - Kush janë ish-komisari e durrsaku i arrestuar për vrasjen e Çollakut

2016-01-29 3

TIRANË - Ish-oficeri i policisë i shpallur në kërkim për vrasjen e Gazmend Çollakut (në foto), ka një karrierë të gjatë në polici. Ai ka qenë shefi i Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tiranës me gradën Komisar deri në tetor të viti 2013. Nga kjo detyrë ai u shkarkua në dhjetor të 2013-ës me motivacionin për dekonspirimin e operacionit për lojërat e fatit "Fundi i Marrëzisë". Në këtë kohë thuajse i gjithë sektori i antikrimit ekonomik i Policisë së Tiranës u shkri dhe u zëvendësua me efektiv tjetër.

Ervin Dalipaj 37 vjeç ka qenë edhe shef i hetimit të krimeve të Elbasanit dhe komisariatit numër 4 në Tiranë.

Po ashtu ai ka mbajtur edhe funksione të ndryshme në Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, përpara se të emërohej në detyrën e Shefit të hetimit të Krimit Ekonomik në Tiranë.

Ndërkaq 33-vjeçari Denis Shtraza, i arrestuar si i dyshuar për rrëmbimin dhe më tej vrasjen e Collakut në 6 janar të këtij vitit, është një emër i njohur për policinë si një person me tendenca të theksuara kriminale, me precedentë penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës dhe i dyshuar si anëtar i një grupi kriminal që operon në zonën e Durrësit dhe të Tiranës.