Report TV - Rama i përgjigjet Blushit nga Vlora "Seherxhiu e ka të lehtë të kritikojë"

2016-01-29 0

VLORË - Sulmeve të deputetit kritik brenda PS-së Ben Blushi, për shkelje të premtimeve elektorale dhe keqqeverisje , kryesocialisti Edi Rama ia dha përgjigjen nga qyteti i Vlorës, por pa ja përmendur emrin. Në takimin me strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë, kryeministri e bëri të qartë se pavaërsisht votave që mund të humbasin për shkak të të pakënaqurve edhe brenda radhëve të PS-së, rruga e reformave nuk do të ndalë.

"Të tjerët e kanë më të lehtë që të bëjnë akuza, të shpifin, të bëjnë kritika, apo të thonë se çfarë nuk shkon nga pozitat e sehirxhiut. Por e dini se përse e kanë më të lehtë? Sepse nuk kanë asgjë në dorë dhe kush nuk ka asgjë në dorë, e ka gjithmonë më të lehtë të thotë se ku po gabojnë ata që kanë marrë në dorë fatet e vendit. Ne nuk mund t?i lejojmë vetes që në emër të të mbajturit mirë me njëri-tjetrin, në emër të frikës se po humbasim ndonjë votë nga ata që zhgënjehen, apo në emër të të gjitha interesave që i mbajtën peng reformat për 20 e kusur vite t?i faturojmë Shqipërisë, edhe 20 vite të tjera pa reforma dhe të bëjmë që ata që futen sot si 20, 25-vjeçarë në Partinë Socialiste, kur të bëhen 45 dhe 50 vjeç ta konsiderojnë këtë kohë, një kohë të humbur. Mjaft ka humbur kohë Shqipëria me llafe, me justifikime dhe marrëzira!"- u shpreh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, njëherësh kryeministri i Shqipërisë.

Shefi i qeverisë e konsideroi programin e maxhorancës si më ambiciozin e ndërmarrë në 20 vitet e fundit , si dhe vlerësoi bashkëpunimin me aleatin LSI.

"Nëse ne falë mbështetjes që kjo parti ka në popull, kemi patuar mundësi që në aleancë me LSI-në dhe partitë e tjera ti japim vendit një qeverisje që ka ndërmarrë programin më ambicioz të reformave në 20 e kusur vite. Ka marrë përsipër sfidën e rrezikun e reformave, duke reformuar Shqipërinë dhe vetveten. Reforma e thellë e vetvetes në PS ka një bazë në historinë dhe ADN e PS. Sot ka një bazë më shumë në faktin se duke qeverisur vendin me kurajën për ta modernizuar e për të bërë shtetin që iu mungonte shqiptarëve, PS ka mundësi t'iu thotë të gjithëve se përse është partia ku duhet të anëtarësohen e ku duhet të gjejnë bashkë me të tjerët fuqinë për ta çuar Shqipërinë përpara", tha Rama.