Report TV - Braho kritika qeverisë për Byronë e Hetimit: Projekti është i vonuar

2016-01-28 0

TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur kritike ndaj qeverisë në lidhje me Byronë e Hetimit. Kryetari i komisionit parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho, deklaroi se qeveria duhet ta kishte sjellë në Parlament projektin e Byrosë së Hetimit.

Ndërkohë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka sqaruar punën që po bën qeveria për këtë draft. Ai theksoi se, për ngritjen e këtij institucioni qeveria është në proces konsultimi me partnerët ndërkombëtarë. Sipas Tahirit, Byroja e Hetimit pritet të godasë ashpër korrupsionin në vend.

"Është një proces konsultimi i vazhdueshëm edhe më partnerët. E sigurt është që në kuadër të rilindjes së Policisë së Shtetit, forcimit të kapaciteteve për të luftuar krimin e organizuar dhe mbi të gjitha korrupsionin, në kuadër dhe të rezultateve mjaft inkurajuese të vitit të kaluar, edhe Byroja Kombëtare e Hetimit që është një propozim i Kryeministrit dhe i qeverisë do të shtojë mundësinë tonë për të luftuar korrupsionin veçanërisht në nivele të larta. Kjo është ende në kolaudimet finale dhe ndjek një proces të tërë nuk ka asnjë arsye për të besuar që zgjatja e kohës që është mëse e arsyeshme për shkak të procesit do të dëmtojë procesin", tha Tahiri.

Një ditë më parë pro Byrosë së Hetimit sipas versionit amerikan, u shpreh dhe kreu i opozitës Lulzim Basha. Ai ftoi kryeministrin në një tryezë për të diskutuar rreth kësaj çështje që është pjesë e reformës në drejtësisë.

Free Traffic Exchange