TIRANË - Ngjarje të rënda kriminale që kanë tronditur vendin ndër vite mund të zbardhen vetëm përmes një bashkëpunimi më të mirë mes policisë dhe Prokurorisë. Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe kryeprokurori Adriatik Llalla, ngritën njëzëri nevojën për hetimin në mënyrë të shpejtë të tyre.
Për ministrin Tahiri, ngjarje kriminale që duhet të zbardhen sa më parë janë vrasja e 4 protestuesve në protestën e 21 Janarit 2011, vrasja e deputetit Fatmir Xhindi e deri tek korrupsioni i zyrtarëve. Por për ta arritur këtë - theksoi ai - duhet të ketë veprim aktiv të policisë dhe prokurorisë për t'i çuar para hetimet.
Edhe prokurori i Përgjithshëm u shpreh i mendimit se "lufta kundër kriminalitetit dhe korrupsionit kërkon angazhim nga të gjithë institucionet ligjzbatuese".
"Ky bashkëpunim i deritanishëm ka pasur disa rezultate në luftën kundër grupeve kriminale, por edhe korrupsionit. Gjithsesi, duhet pranuar se kemi shumë për të bërë sëbashku. Kemi ende raste të rënda që kërkojnë impenjimin tonë të përbashkët për t?i zbardhur. Kanë ndodhur disa ngjarje të rënda kriminale, të cilat shtojnë pasigurinë në opinionin publik dhe është shumë e rëndësishme që të hetohen në mënyrë të shpejtë. Kjo është e nevojshme për të dëshmuar se institucionet janë të vendosur për zbatimin e ligjit. Grupet kriminale kanë aftësinë që të penetrojnë edhe në zyrat e shtetit. Nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Por ne kemi detyrën të zbulojmë rastet kur elementët kriminale gjejnë mbështetjen e personave me pushtet", tha Llalla.
Kryeprokurori evidentoi faktin se gjatë vitit 2015 janë arrestuar gjyqtarë e prokurorë, por kjo falë hetimeve të prokurorisë. Në këtë linjë. ai kërkoi të ketë referime edhe nga policia për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë.
"Në nivel titullarësh është diskutuar nevoja e rritjes së hetimeve për korrupsionin në nivele të larta. Gjatë vitit 2015, nga hetimet e Prokurorisë, në disa raste edhe me bashkëpunimin e Policisë, janë arrestuar disa gjyqtarë dhe prokurorë. Por, nga ana tjetër, rezulton se nuk ka referime nga institucionet ligjzbatuese për zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë. Unë e kam ndarë këtë shqetësim edhe me Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe titullarë të tjerë. Në këto diskutime kemi vlerësuar se duhet një impenjim shumë më i madh i strukturave përkatëse. Antikorrupsioni është sfida jonë më e madhe për integrimin në Bashkimin Europian dhe duhet ta përballojmë të gjithë bashkë", theksoi ai.
Problematike për prokurorët sipas Llallës, mbetet lëvizja e shpeshtë e oficerëve të policisë gjyqësore, çka sipas tij ul ritmin e hetimeve.