TIRANE - Në Gjykatën e Krimeve të Rënda është mbajtur këtë të mërkurë seanca e parë për imamin Almir Daci, i cili konsiderohet si një nga drejtuesit më të pushtetshëm të celulave të luftëtarëve xhihadistë në Siri.
Seanca e parë u zhvillua në mungesë pasi Daci, imam i xhamisë në Leshnicë të Pogradecit, ndodhet ende në kërkim nga policia.
Babai i tij Xhevahir Daci është shprehur se Almiri nuk është terrorist duke shtuar se nuk ka shkuar në Siri për të luftuar. Ai rrëfen një detaj interesant, kur thotë se djalin e tij e hoqën nga puna si imam në xhami, pasi nuk fali namazin e Bajramit.
Rrugëtimi i Almir Dacit drejt Sirisë - tregon babai - ishte për shkak se ai mbeti pa punë dhe pa bukë.
Ish-imami shqiptar u shfaq në një video të publikuar në Youtube në muajin qershor. Daci dhe një militant nga Kosova kërcënuan me sulme terroriste kundër të gjithë atyre që nuk e përkrahin kauzën e tyre, çka përbëri edhe provën më të fortë për përfshirjen e tij në terrorizëm.
Por për babain e tij Xhevahirin, thirrje të tilla janë të padrejta. Telefonata e tij e fundit me të birin ka qenë në dhjetor të vitit 2015.
Daci, i njohur edhe si Ebu Belkisa, është konsideruar si një nga militantët më aktivë shqiptarë në ISIS.
Almir Daci akuzohet për pjesëmarrje në luftë, thirrje dhe nxitje e urrejtjes, pjesë e ISIS.
Disa ditë më parë Shqiptarja.com publikoi dokumentin e hetimeve dhe përgjimeve ndaj Almir Dacit ku rezultonte se ai kishte rekrutuar për të luftuar në Siri edhe ish-komandon e ushtrisë shqiptare, Erjon Alinj një i ri ky nga fshati Leshnicë i Pogradecit aty ku Daci ka shërbyer si Imam.