Anëtarët e 20 familjeve në qytetin e Shkodrës, të cilave iu kërkohet lirimi i banesave, pasi atyre iu ka dalë pronari, janë përplasur sot me forcat e policisë të cilat kanë qenë aty për të zbatuar vendimin e Gjykatës.Një 15 vjeçar është shoqëruar në komisariatin e policisë, pasi sipas uniformave blu ka shtyrë shefin e komisariatit të këtij qyteti, që ndodhej në vendin ku banorët po protestonin.
Banorët, të cilët prej ditësh kanë protestuar dhe janë shprehur kundër vendimit të Gjykatës, nuk kanë pranuar që të largohen nga banesat e tyre, me pretendimin se ato janë pronë e tyre.
Forcat e policisë kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën, por banorët janë konfrontuar me to, duke e agravuar akoma më shumë atë.
20 familjet e përfshira në këtë konflikt jetojnë prej më shumë se 20 vitesh në zonën e Stacionit të Trenit dhe pas zbatimit të vendimit të marrë nga Gjykata, për rikthimin e pronës tek ish pronari, ata do të mbeten në qiell të hapur.
Ata janë vendosur në objekt në vitin 1997 dhe kishin filluar procedurën e legalizimit të shtëpive.
Konflikti ka nisur që në vitin 2011 kur pronari i ndërtesës kishte nisur procesin gjyqësor për të rimarrë pronën e tij, me pretendimin se prona e tij ishte marrë në mënyrë të paligjshme nga 20 familjet.