Report TV - Lirimi i banesave, përplasje mes banorëve e policisë në Shkodër

2016-01-27 1

Anëtarët e 20 familjeve në qytetin e Shkodrës, të cilave iu kërkohet lirimi i banesave, pasi atyre iu ka dalë pronari, janë përplasur sot me forcat e policisë të cilat kanë qenë aty për të zbatuar vendimin e Gjykatës.

Banorët, të cilët prej ditësh kanë protestuar dhe janë shprehur kundër vendimit të Gjykatës, nuk kanë pranuar që të largohen nga banesat e tyre, me pretendimin se ato janë pronë e tyre.

Forcat e policisë kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën, por banorët janë konfrontuar me to, duke e agravuar akoma më shumë atë.

20 familjet e përfshira në këtë konflikt jetojnë prej më shumë se 20 vitesh në zonën e Stacionit të Trenit dhe pas zbatimit të vendimit të marrë nga Gjykata, për rikthimin e pronës tek ish pronari, ata do të mbeten në qiell të hapur.

Ata janë vendosur në objekt në vitin 1997 dhe kishin filluar procedurën e legalizimit të shtëpive.

Konflikti ka nisur që në vitin 2011 kur pronari i ndërtesës kishte nisur procesin gjyqësor për të rimarrë pronën e tij, me pretendimin se prona e tij ishte marrë në mënyrë të paligjshme nga 20 familjet.