Report TV - Rama: Berisha 173 koncesione me dëm kolosal, ne 14 kontrata

2016-01-26 1

TIRANË - Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e Këshillit Ekonomik Kombëtar ka folur gjatë për partneritetin publik-privat, duke shpjeguar jo vetëm për qytetarët, por edhe para biznesmenëve që ishin të pranishëm në tryezë, përfitimet që sjell kjo marrëdhënie. Shefi i qeverisë ngriti gishtin e akuzës jo vetëm ndaj politikës, për një fushatë propagande siç e quajti ai, që po i bëhet partneritetit me privatin.

?Ka dalë një budalla ka hedhur një gurë në lumë edhe këtu bëhet garë kush do gjejë gurin. Është jo vetëm propagandë e kundërshtarit politik, por një propagandë që gjeneron injorancë në sistem, pa parë asgjë. Gjithë kjo punë e bërë me ekspertët, kaq kollaj e paskan këta sa me një të dëgjuar e kthyekan në akuza. Kujt i shërben kjo??, tha kryeministri duke shpjeguar se qeveria e majtë ka lidhur 14 kontrata partneriteti në pamundësi për t?i sjellë benefite qytetarëve, aq sa do të mund ta bëjë privati

Rama shtoi se ?partneriteti publik-privat është mekanizëm kyç për të zhvilluar ekonominë? dhe ?është pjesë e filozofisë? së qeverisë së tij?.

Por në ndryshim nga kjo filozofi, qeveria e kaluar e kryesuar nga Sali Berisha - tha kryeministrit Rama - dha plot 173 koncesione të pastudiuara të cilët sollën një dëm fatal për financat. Rama i quajti të padrejta akuzat se "po jepet me koncesion atdheu", kur qeveria aktuale sipas tij, jo vetëm që ka lidhur një numër shumë të vogël kontratash, por edhe ka rishikuar koncesionet e dhëna nga paraardhësi i tij për të lehtësuar barrën monetare të qytetarëve.

?Në programin tonë qeverisës është një filozofi që ne e mbrojmë për funksionimin normal të tregut dhe ofrimit të shërbimeve cilësore. Kam insistuar që në çdo sektor, çdo ministër, dhe çdo drejtori politikash të eksplorojë dhe të çojë përpara çdo mundësi për partneritet publik-privat. Nga vitet 2005-2013 janë dhënë 173 koncesione. Ndërsa sot bëjnë akuza se po jepet atdheu me koncesion, por janë dhënë vetëm 14 kontrata, ku 6 prej tyre janë ndërtim HEC-esh, krahasuar me 161 koncesione në të shumtën e herës fatale për financat, mjedisin, etj, të dhëna në 8 vite nga ata. Ndërsa sot kanë vënë një kujë të kuptueshme lidhur me numrin shumë të vogël të koncesioneve, që edhe janë të strukturuara në një mënyrë të ndryshme nga çka qenë më parë.