TIRANË - Për herë të parë kryeministri Edi Rama, kryetari i opozitës Lulzim Basha, dhe kreu i LSI-së Ilir Meta janë ulur në një tryezë për të diskutuar mbi një reformë të madhe siç është ajo zgjedhore, që ka pritshmëri për tu realizuar këtë qershor, një vit para zgjedhjeve të 2017-ës. Vlerësuar si një dialog i jashtëzakonshëm nga ambasadori amerikan Donald Lu, dhe një shenjë e mirë jo vetëm për reformën por edhe të ardhmen e Shqipërisë, kjo tryezë u duatrokit nga kryediplomati, i cili ishte ulur krah liderit demokrat Basha.
"Sa interesant është dialogu, sot është dialog i jashtëzakonshëm. Shenjë e mirë se kryetari i PS, kryetari i PD, dhe kryetari i LSI kanë vullnetin politik të marrin pjesë në një skenë, e cila është organizuar nga sektori i OJQ-ve. Është një shenjë shumë e mirë për reformën dhe është një shenjë shumë e mirë për Shqipërinë", u shpreh Lu në konferencën e organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë. Por për të bërë një reformë të vërtetë - sipas Lu-së - duhet bërë edhe më shumë.
Ndonëse nuk pati shtrëngim duarsh mes 2 rivalëve politik Rama dhe Basha tryeza përveçse uli në një tryezë tre liderët kryesorë të politikës në vend, prodhoi një ndër lajmet kryesore të ditës.
Ilir Meta kërkoi ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke i hequr kryetarëve të partive ekskluzivitetin e renditjes së atyre që do të shkojnë në kuvend dhe vendosur në garë vetë kandidatët përballë elektoratit. Ide kjo që gjeti dhe mbështetjen e kryedemokratit Basha.