BERATI - Spitali i Beratit është i fundit nga 11 spitalet rajonale që janë pajisur me kabinetet e kardiologjisë, në 2 vitet e fundit.
Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishin në spitalin rajonal të këtij qyteti ku me një investim prej 5,9 milionë lekësh janë instaluar aparaturat më të reja si ECHO 3D, ato për matjen e ngarkesës së zemrës, holter tensioni arterial dhe holter zemre.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, ky kabinet do të reduktojë fluksin e pacientëve që vijnë nga rrethet drejt qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" në kryeqytet. Janë rreth 500 pacientë që nuk do t?i drejtohen më Tiranës, por do ta marrin shërbimin në këtë spital.
Përveç spitaleve rajonale dhe tre poliklinika në Tiranë janë të pajisura me kabinetin e kardiologjisë. Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është mbulimi me shërbim kardiovaskular në të gjithë vendit.