TIRANË - Plagosja e gjyqtarit Artan Gjermeni do të hetohet si vepër penale pa autor nga prokuroria e Tiranës. Burime nga grupi hetimor thanë për Repor Tv se 24 orë pas kësaj ngjarje i janë dërguar letër porosi bankave të nivelit të dytë për të parë nëse 20 mijë eurot e gjetura në makinën e gjyqtarit janë tërhequr nga llogaria e tij, apo janë para pa burim të justifikuar çka do të shtrinte hetimet në pistën e korrupsionit.
...
24 orë nga plagosja e gjyqtarit të Tiranës Artan Gjermeni, prokuroria e kryeqytetit regjistron procedim penal pa autor me akuzën e plagosjes së lehtë me dashje.
Referuar Kodit Penal Neni 89, plagosja e lehtë me dashje është një dëmtim që shkakton paaftësi për punë deri në 9-të ditë dhe dënohet me gjobë deri në dy vite burg.
Ky fakt konfirmohet për Repor Tv nga burime pranë organit të Akuzës së kryeqytetit e cila pas marrjes së provave materiale të sekuestruara nga policia ka nisur hetimet.
Vetë gjyqtari Gjermeni ka refuzuar të bashkëpunojë me hetuesit duke këmbëngulur në versionin e tij se dëmtimet për të cilat u mjekua pasditen e 17 janarit në qendrën spitalore Nënë Tereza i ka marrë aksidentalisht nga një llamarinë prerëse në garazhin ku parkon makinën.
Kjo është pista zyrtareve e hetimit deri në këtë fazë, ndërsa të njëjtat burime sqaruan se po kryhen verifikime dhe mbi 20 mijë euro të gjetura në kroskotin e automjetit "Smart" me të cilin Gjermenit ju drejtua urgjencës (18.700 euro dhe 285 mijë lekë të rinj).
Për këtë shumë parash thanë burime vetë gjyqtari nuk ka dhënë asnjë shpjegim, por nuk përjashtohet dhe mundësia e pranisë së tyre për ndonjë çështje gjyqësore çka do të bënte që hetimet të shtriheshin në pistën e korrupsionit.
Hetuesit kanë nisur letër porosi në bankat e nivelit të dytë për të parë nëse Gjermeni ka bërë apo jo tërheqje nga llogaritë e tij bankare prej janarit 2016 deri ditën kur ndodhi plagosja, për të parë nëse kjo shumë justifikohet apo është pa burim.
Pas ngjarjes këto para qëndrojnë të sekuestruara si provë materiale dhe pritet që gjyqtari të justifikojë burimin e tyre, në të kundërt sipas hetuesve ato do të sekuestrohen dhe ndaj gjyqtarit do të ngrihet akuza e mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurive.
12 persona janë pyetur pas ngjarjes për të cilën gjyqtari pretendon se është aksidentale, por këto dëshmi nuk kanë vlejtur që grupi hetimor të hedh dritë mbi ngjarjen pasi familjarët e tij kanë deklaruar se nuk kanë dijeni.
ReportTv ka mundur të zbardh se Artan Gjermeni është paraqitur i vetëm në spital të dielën në orën 18:30 dhe mjekët kanë konstatuar në trupin e tij dy dëmtime një në gishtin e mesit të dorës së djathtë dhe një në brinjën e majtë.
Por a do të vihet në lëvizje Këshilli i Lartë i Drejtësisë për këtë rast?
Zyra e shtypit pranë KLD-së e kontaktuar nga ReportTv u shpreh se rasti është duke u ndjekur si një vepër penale dhe ky institucion nuk ka asnjë atribut deri sa të zbardhen hetimet apo të marrë një masë prokuroria. /Report TV/