?Nga lloqe Kavaje do ta bëjmë lloqe Shkodre?.
Me këtë batutë iu është drejtuar Ditmir Bushati socialistëve të Shkodrës në mbledhjen e radhës për ristrukturimin e kësaj force politike dhe zgjedhjen e kryetarit të ri. Kjo batutë ironike e thënë duke buzëqeshur nga i deleguari i PS në Shkodër ka ardhur pas ankesave dhe shqetësimeve të përhershme të një pjese të koordinatorëve dhe grupit të punës. Në dalje Bushati kërkoi kohë për këtë proces.
Një prej atyre që ka nisur diskutimin ka qenë Oltion Luli pikërisht për pretendimet lidhur me ndryshimet dhe rregullat e reja për organizatat e qytetit. Më tej fjalën e ka marrë Rozafa Zmijani e cila ka qenë e drejtpërdrejtë. Zmijani ka deklaruar se nuk mund të kërkohet llogari dhe nuk mund të bëhen ndryshime drastike kur ende nuk është bërë asnjë lloj analize për humbjen e zgjedhjeve lokale të 2015-ës për bashkinë Shkodër se cilat ishin arsyet. Në këtë pjesë Bushati ka qenë i qartë duke thënë se kryetarët e organizatave që kanë dalë forcë e tretë, pas LSI-së nuk do të lejohet të përzgjidhen më dhe më pas ka nisur batutat dhe ka thënë se kam 5 muaj në Shkodër dhe dëgjoj të njëjtat diskutime ndaj nga lloqe Kavaje do ta bëjmë lloqe Shkodre.
Shqetësimi qëndron sepse disa prej krerëve të organizatave që në 2015 dolën forcë e tretë në zgjedhjet e 2013-ës kanë patur rezultate shumë më të mira duke qenë force e parë në qendrat e tyre të votimit. Një prej atyre që ka ngritur zërin është edhe Dodë Mehmetaj i cili e quan të padrejtë dhe jashtë logjike idenë se një organizatë duhet të ketë 10 mbiemra të ndryshëm duke shmangur kështu antarsimin familjar apo edhe fisnor. Përveç Bushatit në këtë pjesë ka folur edhe koordinatori i PS Agim Shimaj duke u përgjigjur se nuk mund të lejohet ai lloj anatarsimi në organizata sepse aktualisht për qytetin nga 89 organizata 25 prej tyre janë tërësisht fiktive dhe 25 të tjera janë organizata fantazëm që thjeshtë janë të regjistruara por pa anëtarë ose me emra që nuk kanë fare lidhje me PS-në. Pavarësisht se me tone më të ulëta edhe kjo mbledhje tregon se socialistët shkodran ndodhen në një udhëkryq duke qenë se partia po vendos një dorë të fortë për dy arsye për të future frymën e re por edhe për të patur një antarsi totalisht efektive dhe aktive. Nga ana tjetër po krijon pakënaqësi tek disa prej figurave më me peshë të PS-së së Shkodrës ose të paktën me të cilat PS historikisht është përfaqësuar në Shkodër.