http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse në harkun kohor të dy viteve, Banka e Shqipërisë ka ulur 12 herë normën e interesit të lekut, sërish kostot e kredive mbeten të larta. Duke parë rezultatin që politika monetare nuk po shkon në kahun e nxitjes së kredisë dhe rritjes së ofertës nga ana e bankave të nivelit të dytë, Banka Qendrore ka marrë një vendim të ri për të ulur interesin e huave: lehtësimin sasior. Në 2016-ën, Banka e Shqipërisë do të përfundojë planin e veprimit për të ulur kostot e bizneseve dhe konsumatorëve që kanë kredi përmes injektimit të parave në treg. Ky model u zbatua një vit më parë nga Banka Qendrore Europiane, e cila dha 1.1 trilionë euro, si formë për të financuar sipërmarrjet private dhe për të ulur interesat e larat të kredive në euro. Me sa duket situata e vështirë, ku akoma dhe sot interesi i një kredie me afat mesatar shkon deri në 8.4 %, edhe Banka Qendrore po mendon të ndjekë të njëjtën rrugë. Burime konfidenciale për Vizion Plus thonë se ka nisur puna për të përgatitur strategjinë që do të ndiqet dhe se është vendosur që si formë aplikimi të merret modeli hungarez. Banka Qendrore ble bono ose obligacione nga institucionet financiare, dhe redukton normat e interesit, kjo sjell nje efekt ne ekonomi, ku bizneset dhe njerëzit marrin më shumë kredi dhe me kosto më të lirë. Akoma nuk është vendosur se sa para do të hidhen në treg për t?i blerë bonot e bankave, megjithatë të njëjtat burime thonë se përveç këtij mekanizmi do të shihen dhe mënyra të tjera se si bizneset do të jenë të interesuara të marrin paratë. Përveç interesave të larta dhe kushteve të vështira për të miratuar një kredi, Shqipëria po vuan edhe nga mungesa e kërkesës së ndërmarrjeve për të marrë hua. Sot që flasim, bankat kanë likuiditet si në euro edhe në lek, por problemi kryesor që kanë është gjetja e mënyrave të financimit në vende të sigurta, të cilat do të munden t?ia kthejnë mbrapsht këto para.