Prokurori speciale për korrupsionin - News, Lajme - Vizion Plus

2015-12-27 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Reforma në sistemin e drejtësisë shqiptare, sipas të gjitha gjasave pritet të miratohet pranverën e vitit të ardhshëm. Objektivi është reformimi i të gjithë strukturave të drejtësisë, me qëllimin kryesor, luftë kundër korrupsionit. Gjyqtarë, prokurorë dhe zyrtarë të lartë do të hetohet nga strukturë e posaçme anti-korrupsion, e cila do të ngrihet pranë organit të Prokurorisë. Kështu parashikohet në paketën e ndryshimeve Kushtetuese, të propozuar nga ekspertët e nivelit të lartë. Për reformën në drejtësinë shqiptare, janë investuar misionet e Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Madje, ambasadori Donald Lu, ka qenë i ashpër të deklaratat e tij. Në ndryshimet që i bëhen kapitullit të Kushtetutës për Prokurorisë, theksohet se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion e Prokurorisë është përgjegjëse për ndjekjen penale dhe përfaqësimin e akuzës kundër gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë. Kjo strukturë do të ngrihet pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit Anti-Korrupsion. Për të evituar çdo aludim për ndikime ndaj punës së prokurorëve, sanksionohet që Prokurorët e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, që emërohen për një mandat 10-vjeçar nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve dhe janë të pavarur. Ata duhet të duhet të kenë 10 vite përvojë si prokurorë, nuk duhet të jenë dënuar, duhet të kenë reputacion për integritet të lartë. Por, edhe këta prokurorë do të kalojnë përmes filtrave të kontrollit të pasurisë, përpara se të marrin detyrën. Theksohet se ata duhet të plotësojnë një deklaratë e të kalojnë me sukses një shqyrtim të pasurisë dhe së shkuarës, si dhe shqyrtime periodike të llogarive financiare dhe telekomunikative të tyre, si dhe të familjarëve të afërt. Me miratimin e paketës dhe nisjen e zbatimit të saj, pritet që gjyqtarë, prokurorë, por edhe zyrtarë të lartë, të hetohen për aktivitete korruptive dhe përse jo, të përfundojnë pas hekurave.