Report TV - I përndjekuri: Edhe deputetët e PD-së bënë thirrje për bunkerin

2015-12-10 0

Kreu i Unionit të ish-të përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni thotë se thirrjen për të shkatërruar bunkerin tek Ministria e Brendshme e bënë edhe deputetë të Partisë Demokratike. "Edhe deputetët bënë thirrje për bunkerin", -u shpreh ai.

I ftuar në studion e Report TV, Ndregjoni, i cili është nën akuzën e policisë për thirrje që nxisin dhunën, thotë se bunkerin nuk e dogjën ish-të përdjekurit, por populli dhe se Rama sipas tij, duhet të kërkojë falje për ndërtimin e këtij bunkeri.

Pas fjalës përmbyllëse të liderit të opozitës Lulzim Basha në podiumin pranë kryeministrisë në protestën e 8 dhjetorit, thirrja e Besim Ndregjonit ishte e fundit që u dëgjua: Të shkojmë të djegim bunkerin e Edi Ramës.

Kryedemokrati Basha dhe lideri historik i së djathtës Sali Berisha u panë në mesin e turmës të zhvendosur nga kryeministria drejt Ministrisë së Brendshme, duke ndjekur qetësisht për disa çaste shkatërrimin e bunkerit nga protestuesit. Ndërkohë në një konferencë për mediat një ditë pas protestës, Basha i shprehu mirënjohje "heronjve që e kallën në flakë simbolin e diktaturës".