http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kreditë e këqija kanë vënë në alarm Bankën e Shqipërisë, e cila edhe pse ka ndërmarrë një sërë nismash për të ulur stokun e kredive me probleme, me ç?duket nuk po ia del dot. 65% e 1 miliard dollarëve të këtyre kredive, janë të përqendruara në dorën e 35 korporatave të mëdha. Ky fakt ka shtuar dyshimet për korrupsion brenda sistemit bankar, në dhënien e huave pa patur sigurinë e kthimit te parave. Kjo situate e ka detyruar Bankën e Shqipërisë të forcojë rregulloren për kontrollin e sistemit të brendshëm në bankat tregtare, si ato me origjinë shqiptare, edhe për ato me kapital të huaj. Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës i jep kompetencë njësisë së kontrollit që të monitorojë zbatimin e politikave të bankës, të vlerësojë gjendjen financiare të saj dhe ekspozimin ndaj risqeve siç janë kreditë të cilat rrezikojnë të mos kthehen. Një masë tjetër për forcimin e kontrollit është bërja e kësaj strukture me 5 hallka të cilat raportojnë te njëra-tjetra dhe caktojnë përgjegjësitë për gabimet që ndodhin. Përveç këshillit drejtues, krijohet komiteti i kontrollit, e më pas shtohet një drejtori për çdo departament të bankës. Pas kësaj krijohet njësia e kontrollit të brendshëm. Në fund, me vendim të këshillit drejtues, ngrihen edhe komitete të veçanta që bëjnë audit. Rregullorja e re thekson se punonjësit nuk duhet të kenë konflikt interesi me biznese apo subjekte që marrin hua. Fakti që 650 milion dollarë kredi me probleme janë dhënë vetëm në disa ndërmarrje, ka shtuar dyshimet se agjentët e kredisë bëjnë marrëveshje me bizneset duke garantuar kredi të cilat nuk do të shlyhen. Pak muaj më parë Banka e Shqipërisë nisi ndërmjetësimin mes këtyre sipërmarrësve dhe bankave të nivelit të dytë, në mënyrë që të ristrukturonte kreditë përmes uljes së kësteve dhe forcimit të ndërmarrjes, por kjo tentativë dha sukses vetëm në një rast.