Shqipëria, pa minimum jetik! - News, Lajme - Vizion Plus

2015-12-02 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Hasan Çela është një kryefamiljar i papunë që paguhet nga shteti me 7 mijë lek të rinj në muaj si ndihmë ekonomike. Por paratë e asistencës që merr nuk i dalin as për të paguar qeranë e një muaji të një banese modeste në kryeqytet, dhe jo më për të paguar energjinë elektrike, ujin dhe ushqimet e përditshme. Për këtë arsye, ai detyrohet që të dalë përditë dhe të tregtojë në rrugën e Elbasanit, disa punime që bën bashkëshortja e tij. Situatën paradoksale mes asaj që shteti paguan për pensionet, asistencën sociale dhe aftësinë e kufizuar prej kohësh e denoncon Avokati i Popullit. Igli Totozani në një forum me ekspertë shqiptare dhe ndërkombëtarë tha se është e pafalshme që vendi ynë nuk mat minimumin e jetesës që i duhet një qytetari, duke lënë në varfëri të thellë mijëra njerëz. Ekspertët mendojnë se është një shkelje e Kushtetutës dhe Konventave Ndërkombëtare, fakti që Shqipëria nuk ka një statistikë se sa para i duhet një njeriu që të arrijë të sigurojë minimumin jetik. Por INSTAT, i vetmi institucion publik që duhet të bëjë këto matje shprehet se nuk është kompetencë e tij. Varfëria në Shqipëri është rritur nga viti në vit, në një publikim të fundit Banka Botërore raportoi se niveli i saj ka arritur në 32%, ndërkohë që një fenomen tjetër është se ajo po shtohet më shumë në zonat urbane.