http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Policia e Kosovës arrestoi mbrëmjen e te hënës deputetet e lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, Glauk Konjufca dhe dy aktivistë të tjerë. Ndalimi i tyre është bërë nga 10 policë në hyrje te Prishtinës ndërsa dy parlamentaret ishin duke u kthyer nga një aktivitet në Shkup. Pak pas ndalimit, deputeti Konjufca është lënë i lirë, ndërsa Kurti është shoqëruar në rajonin policor të Prishtinës. Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani konfirmoi se ndalimi i Kurtit është bërë pas urdhër-arrestit të lëshuar nga prokurori, për ta marrë atë në pyetje në rajon. Sikurse bëhet me dije dhe nga mediat në vend ish-lideri i lëvizjes Vetëvendosje është i dyshuari kryesor për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e brendshme të kuvendit të Kosovës. Sipas nenit 120 të kodit penal në Kosovë, përdorimi i gazit lotsjellës është vepër penale dhe për të parashikohet një dënim nga 6 muaj deri në pesë vite burg. Menjëherë pas njoftimit të lajmit për arrestimin e Kurtit, para stacionit të policisë janë mbledhur kryetari i lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri, ai i AAK-se Ramush Haradinaj dhe dhjetëra aktivistë të tjerë. Këta të fundit kanë brohoritur Vetëvendosje, ndërsa kane goditur dhe me gurë ambientet e policisë.