Atentati në Tiranë, arma e krimit gjendet në Lanë - News, Lajme - Vizion Plus

2015-12-01 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Një ditë pas atentatit ku mbetën të vrarë dy persona e u plagos një i tretë, policia gjeti armën e dyshuar të krimit. Kallashnikovi u zbulua në lumin e Lanës gjatë kontrolleve të forcave speciale RENEA, vetëm pak metra larg vendngjarjes.Automatiku do t?i nënshtrohet ekspertizës balistike për të vërtetuar nëse është arma që i mori jetën 30-vjeçares Oskian, 23-vjeçarit Rugova dhe la të plagosur 40-vjeçarin Gaçaj, i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Për ngjarjen e rëndë dhe zbulimin e atentatorëve, policia ka vënë në dispozicion shumën prej 10 mijë eurosh edhe pse pista kryesore veç trafiqeve të drogës është ajo e hakmarrjes ndaj Gacajt. Kjo pasi 40-vjeçari ka një të kaluar të pasur kriminale. Ai ishte vetëm 18 vjeç kur u dënua me 14 vite heqje lirie për vrasjen e një shokut të tij në vitin 1992. Pasi doli nga burgu, në vitin 2008 Gaçaj u arrestua sërish për plagosje të lehtë me dashje ndërkohë që i mbijetoi një atentati me eksploziv pranë shkollës ?Petro Nini Luarasi? në Tiranë. Së fundmi procedohej për dhunë në familje. Automjeti që lëviznin Gaçaj Oskian dhe Rugova u qëllua nga 23 plumba kallashnikovi. Autori ka qenë i fshehur në sheshpushimin e katit të dytë të njërit prej pallateve në zonë dhe sapo ka parë makinën që afrohej ka qëlluar me breshëri. Në këtë moment ekspertët dyshojnë se 40-vjeçari ka manovruar duke ecur mbrapsht me mjetin e tij. Këtu ka ndryshuar dhe këndi i qitjes ku shumica e plumbave kanë përfunduar tek xhami i pasagjerit në të cilin ndodhej 30-vjeçarja Oskian. I gjendur nën breshërinë e plumbave dyshohet se Gaçaj i është kundërpërgjigjur atentatorit duke qëlluar me pistoletë. 40-vjeçari mori vetëm një plagë në shpatull, ndërkohë që ekspertët kërkojnë rikthimin e tij në vendngjarje për të rindërtuar skenën e krimit. Sipas policisë, në momentin e atentatit jashtë automjetit ka qenë dhe një mikeshë e 30-vjeçares Oskian, por e cila fatmirësisht shpëtoi pa u lënduar. Policia gjeti dhe një qese të zezë me të cilën autori kishte mbështjellë automatikun ndërkohë që vijojnë kërkimet për armën tjetër tip pistoletë e cila u përdor në atentat. Deri më tani, në Drejtorinë e Policisë janë shoqëruar 18 persona kryesisht pjesë e shoqërisë së viktimave, ndërkohë që gjatë kontrolleve në banesën e Rugovës u gjet një sasi e vogël kokaine.