AMA bllokon “Sky digital” - News, Lajme - Vizion Plus

2015-12-01 11

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Mund të duket e çuditshme, por raste të tilla ku bllokohen pasuritë e një kompanie private për të favorizuar një tjetër, në Shqipëri janë të shpeshta. Shembulli më flagrant është ai i bllokimit dhe sekuestrimit të mjeteve të punës së kompanisë Sky Digital, një operator i licencuar nga Autoriteti i Medias Audiovizive për të bërë transmetime televizive. Absurdi që autoriteti i cili në fakt duhet të mbrojë mediat, ka bërë sot mbylljen dhe marrjen e të gjitha pajisjeve të këtij operatori me pretendimin se ai nuk ka licencë. Në fakt, në urdhrin e sekuestros që Vizion Plus disponon, i cili është firmosur nga vetë kryetari i AMA-s, shkruhet se bllokimi duhet bërë për kompaninë Fiber Net dhe jo Sky Digital. Këto veprime e kanë gjetur të papërgatitur përfaqësuesin e kësaj firme, i cili rrëfen mësymjen e inspektorëve, policisë dhe punonjësve të medias në ambientet e punës këtë paradite. Kompania Sky Digital ka një kontratë qeraje me firmën Fiber Net për të transmetuar në linjat e saj të internetit programet për të cilat është licencuar nga autoriteti i medias. Në këto kushte, vendimi për të fundosur këtë kompani në rastin më të mirë tingëllon qesharak. Eduart Buda shprehet se edhe pse këtë çështje kërkoi ta denonconte pranë organeve të policisë, asnjë prej tyre nuk pranoi të marrë kallëzim. Të kontaktuar nga Vizion Plus, drejtuesit e AMA-s shprehen se kanë marrë një vendim, i cili ka të bëjë me bllokimin e kompanisë Fiber Net, e cila është kapur duke transmetuar shërbim audovizive pa marrë autorizim nga ajo. Por edhe pse është njohur me kontratën e qerasë së kësaj kompanie, nuk ka bërë asgjë, përkundrazi, të mbështetur mediatikisht edhe nga një tjetër media, inspektorët e AMA-s kanë shkuar në ambientet e një televizioni, kanë marrë në makinën e tyre grupin e xhirimit dhe janë nisur për të bllokuar këtë shoqëri. Lufta që ka shpallur autoriteti i mediave është shumë e qartë: favorizimi duke shkelur konkurrencën e ndershme të një grupi mediatik të caktuar.