http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse janë dakord me aksionin e qeverisë për formalizimin e ekonomisë, tregtarët e shumicës që grumbullojnë mallra bujqësore kanë probleme në lëshimin e faturave nga ana e fermerëve. Ruzhdi Koni ka vite që ka ngritur një biznes, i cili i sjell fitime, pasi malli që merr nga fermerët në Shqipëri eksportohet. Ai ka arritur të lidhë kontrata edhe me tregje të largëta siç janë Estonia dhe Lituania. Por që pas nisjes së aksionit të qeverisë, ai thotë se ka frikë të blejë produktet e fshatarëve në Shqipëri pasi ata nuk kanë NIPT. Kryetari i unionit kombëtar të agrobiznesit, e konsideron aksionin e qeverisë si një amulli, pasi fermerët jo vetëm që nuk janë formalë, por ata nuk kanë tregje ku t?i çojnë prodhimet. Në këto kushte atyre nuk u intereson regjistrimi, pasi nuk kanë përfitime ekonomike. Por rreziku më i madh që i kanoset ekonomisë është pikërisht mbetja stog e prodhimeve të fermerëve. Tregtarët e shumicës shprehen se iu leverdis më shumë të marrin mallin në Maqedoni, të paguajnë TVSH-në në doganë dhe të marrin më pas rimbursimin e saj, se të marrin mallin këtu dhe të paguajnë taksën për llogari të fermerit. Vetë Ministria e Bujqësisë në një deklaratë për mediat shprehet se fermerët duhet të formalizohen dhe pasi të jenë regjistruar, prodhimet e tyre do të mund të shiten në pikat e grumbullimit. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti ka siguruar se pas pajisjes me Nipt ata do të kenë përfitime nga subvencionet që jep qeveria.