http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar bashkëpunim e biznesit në luftën e nisur kundër informalitetit. Ai u ka kërkuar që edhe pse e kanë të vështirë, të tregojnë zinxhirin e evazionit, pasi vetëm kështu do të mundet që të luftohet varfëria, të ulen taksat dhe të rriten pagat. Ai lajmëroi uljen e taksës së pasurisë dhe përjashtimin nga pagesat fiskale të të vetë punësuarve. Kryeministri ka bërë thirrjen e fundit ndaj atyre të cilët vijojnë të fshehin xhiron që bëjnë dhe vjedhin buxhetin dhe konsumatorin. Gjoba për moslëshim kuponi do të jetë 5 mijë dollarë, dhe për manipulim të inventarit 100 mijë dollarë. Për herë të parë, korrupsioni i administratës tatimore do të konsiderohet si një vepër penale e krimeve të rënda. Një afat të ri, kryeministri la edhe për biznesin e madh dhe që paguan faturat rregullisht: deri në 1 mars 2016-të ata nuk do të përdorin më kasë fiskale. Një pjesë e mirë e tyre bëhen padashur bashkëpunues me ndërmarrjet e vogël duke i dhënë mall pa faturë dhe presin kupona fiktivisht në mënyrë që të shkarkojnë TVSH-në e mallit në magazinë. Por formalizimi i ekonomisë ka ndezur diskutime mes kryeministrit dhe bizneseve se mund të rrezikohet rritja e çmimeve. Bizneset në këtë takim kanë kërkuar që lufta e shpallur kundër informalitetit të jetë njësoj për të gjithë. Ata kërkuan që qeveria të nisë të hetojë edhe sektorët që sjellin të ardhurat më të mëdha në buxhet siç janë nafta, cigaret, pijet alkoolike dhe kafja. Po ashtu ata kanë kundërshtuar penalitetet e larta pasi jo vetëm që bëhen të pamundura për tu paguar, por rrezikojnë mbylljen e bizneseve duke dhënë efekt në rritjen ekonomike të vendit.