Në pranga deputeti i PS Armando Prenga - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-30 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Deputeti socialist Armando Prenga është arrestuar ne flagrance mbrëmjen e të premtes, pas një konflikti në qytetin e Laçit ku mbetën të plagosur 7 persona. Në konflikt u përfshinë pjesëtarë të dy fiseve: Prenga dhe Cali. Nga hetimet e para, rezulton se sherri ka filluar ne lokalin e vëllezërve Cali, ne Patok, pas ndeshjes Danimarkë- Shqipëri. Deputeti Prenga dhe vëllai i tij Eduarti, dyshohet se janë zënë me pronarin e lokalit, Gjergj Cali, duke i thënë se Laguna e Patokut është e tyrja. Burimet thanë se deputeti ka qëlluar me qytën e një pistolete Gjergj Calib, duke e plagosur. Ky i fundit ka njoftuar policinë, e cila ka shoqëruar palët në komisariatin e Laçit. Por pjesëtarë të dy familjeve të mbledhura para policisë janë përplasur sërish. Këtë herë veç thikave dhe shkopave është qëlluar edhe me armë. Të plagosur kanë mbetur Tom dhe Nikoll Cali. Nga përleshja masive janë plagosur gjithsej 7 vetë. Policia ka ndërhyrë, duke shoqëruar shumë prej tyre, ndërsa të lënduarit u dërguan në Spitalin Ushtarak. Forcat speciale u dërguan me urgjence për të mos lejuar një konflikt të ri. Mjekët thanë se të lënduarit nuk rrezikojnë jetën. Ndërkohë deputeti Prenga i arrestuar në flagrancë është dërguar ne drejtorinë e Policisë së Tiranës. Ai është marrë në pyetje nga prokurorët. Ndaj tij rëndojnë tre akuza: plagosje me dashje, kanosje serioze për jetën dhe kundërshtim i punonjësve të policisë. Vetë deputeti ka thirrur si avokat Baftjar Rusin. Disa deputete te tjerë socialistë janë interesuar për arrestimin e kolegut. Nga hetimet e deritanishme janë gjetur gëzhoja, si dhe disa sende me të cilat janë kryer plagosjet, por jo armët e zjarrit. Ndërkohë në polici janë shoqëruar 37 persona, 6 prej të cilëve pritet te arrestohen. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se konflikti mes familjeve Cali e Prenga ka nisur që në mars, kohë kur vëllai i deputetit fitoi një tender për shfrytëzimin për peshkim të Lagunës së Patokut. Kompania rivale në tender ishte ajo e vëllezërve Cali.