Frroku në kërkim ndërkombëtar - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-29 4

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Policia nisi procedurën për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Arben Frrokut, ndërkohë që është vetëm çështje orësh publikimi i emrit të tij në listën e Interpol. Një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm të akuzuarin kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, Prokuroria pritet të dërgojë në Ministrinë e Brendshme, kërkesën për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Frrokut. 44-vjeçari arriti të largohej nga Shqipëria edhe pse çështja e tij u apelua. Në shkallën e parë të gjykimit, Arben Frroku mori pafajësinë, ndërkohë që në vendimin e zbardhur të krimeve të rënda, nuk kishte asnjë kufizim lëvizjeje për të. Gjykata u shpreh vetëm për lirimin e menjëhershëm të 44-vjeçarit si dhe rikthimin e të gjitha sendeve të tij personale përfshi dhe pasaportën. Ndryshe nga praktika gjyqësore, ku për krime të rënda gjykata vendos dhe kufizime për lëvizjen jashtë vendit deri në marrjen e vendimit të formës së prerë, për Arben Frrokun u veprua ndryshe. Dhe sot, ai rezulton i larguar nga Shqipëria. Në 20 qershor, Frroku u ndalua nga policia malazeze dhe u mbajt për disa orë derisa të verifikohej nëse ishte në kërkim. Pas përgjigjes nga pala shqiptare, që Frroku nuk rezultonte në kërkim, ai u la i lirë për të udhëtuar drejt Kroacisë. Nga këtu, autoritetet nuk kanë asnjë informacion mbi destinacionin e tij. Pas vendimit të apelit dhe lënien në fuqi të kërkesës së prokurorisë, avokati i Frrokut e quajti të padrejtë vendimin e formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Apelit, duke e justifikuar me faktin se gjyqësori është i ndikuar nga politika. Sipas Genc Gjokutajt, çështja do të ndiqet deri në Gjykatën e Lartë pasi është shkelur çdo procedurë ligjore. Ndërkohë opozita tha se fajtore për largimin jashte vendit të Arben Frrokut është qeveria dhe kryeministri Edi Rama.

Free Traffic Exchange