Meta takim me zyrtarin amerikan - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-29 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se zgjedhjet e 21 qershorit janë të rëndësishme në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë. Deklarata është bërë nga zv/ndihmës sekretari i shtetit Hoyt Brian Yee, gjatë takimit me kryetarin e kuvendit Ilir Meta. Zyrtari i lartë amerikan vlerësoi se mbarëvajtja e standardeve më të larta të zhvillimit të zgjedhjeve të 21 qershorit, është moment kyç në procesin e integrimit evropian. Zv/ndihmës sekretari i shtetit, tha se Shtetet e Bashkuara përkrahin Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, rritjen e integritetit të përfaqësimit politik në nivel lokal dhe qendror, si dhe me axhendën ekonomike. Nga ana e tij, kryeparlamentari Meta tha se mazhoranca është e vendosur të avancojë me reformën në drejtësi, e cila lidhet ngushtë me përmbushjen e 5 prioriteteve të komisionit evropian. Gjithashtu meta theksoi se mazhoranca po tregon vullnet maksimal për një klimë sa më evropiane të zgjedhjeve lokale. Ai tha se në këtë drejtim mirëpret angazhimin konstruktiv të opozitës deri në fund të procesit zgjedhor.Gjatë vizitës në Tiranë, zëvendës-ndihmës sekretari i shtetit, u takua edhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Kreu demokrat shprehu shqetësimin për mungesën e vullnetit të mazhorancës për të miratuar aktet ligjore, që do të ndalonin personat me precedentë kriminalë të garonin në zgjedhjet e 21 qershorit dhe të promovoheshin ne administratën publike. Po ashtu, kreu i PD tha se dyshja Rama-Meta ka nisur të ngrejë skemën e blerjes së votave, duke u bërë presion të hapur drejtorëve te administratës publike. Sipas njoftimit nga selia blu, zyrtarët e lartë amerikanë përgëzuan Bashën për hapat konkretë dhe vullnetin e treguar në një vendimmarrje të guximshme për të çuar përpara procesin e dekriminalizimit. Zv/ndihmës sekretari i shtetit është takuar edhe me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati, ku u vlerësua marrëdhënia strategjike mes dy vendeve.