Ligji i investimeve strategjike - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-29 2

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Komisioni i Ekonomisë nuk ka pranuar të votojë projektligjin e sjellë nga qeveria për të njohur investitorët strategjikë në Shqipëri. Shkak është bërë neni 26 i këtij ligji, i cili i jep të drejtë kompanive private, të cilat investojnë shuma të mëdha, që të shpronësojnë në interes të tyre objekte që mund të jenë në administrim nga qytetarët apo kompani të tjera. Në fakt vetë kushtetuta ia njeh këtë drejtë vetëm shtetit. Kundër qeverisë është shprehur edhe kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe, ai tha se një ligj, i cili miratohet me shumicë të thjeshtë nuk mund të dalë as mbi kushtetutën dhe as mbi ligjin organik të shpronësimeve publike i cili miratohet me shumicë të cilësuar. Vetë komisioni përgjegjës për çështjet ligjore e ndryshoi këtë nen duke përjashtuar të drejtën e shpronësimit për privatët që operojnë në bujqësi, turizëm, menaxhimin e mbetjeve dhe zonat e lira ekonomike, por përfaqësuesit e qeverisë nuk ishin dakord, pasi nxitja e këtyre sektorëve ishte në fakt gjithë qëllimi i ligjit. Të enjten do të jetë seanca plenare, e cila do të vendosë, nëse do ta marrin kompanitë, të cilat do të konsiderohen si strategjike këtë të drejtë apo jo.