Mark Frroku, gjykim në Shqipëri - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-29 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Deputeti kristian demokrat Mark Frroku do të gjykohet në Shqipëri, si autor i dyshuar në vrasjen e Aleksandër Kurtit 16 vite më parë në Belgjikë. Kjo pasi autoritetet belge sollën në Prokurorinë shqiptare dosjen hetimore në ngarkim të tij. Burime pranë organit të akuzës thanë se pas letër porosisë, autoritetet belge sollën në rrugë diplomatike 2500 faqe material hetimor në ngarkim të Frrokut, i akuzuar për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Në mars të këtij viti organi i akuzës i kërkoi parlamentit autorizimin për arrestimin e Frrokut, pasi sipas Prokurorisë, deputeti akuzohej nga autoritetet belge për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim. Aktualisht deputeti mbahet i izoluar nën masën e sigurisë arrest me burg dhe pas mbërritjes së dosjes nga Belgjika ai do të gjykohet nga pala shqiptare, ku rrezikon 15 deri në 25 vite heqje lirie. Aktualisht deputeti kristian demokrat është në hetim dhe për fshehje pasurie e pastrim parash, pas kallëzimit të bërë nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për fshehjen e 3 milionë euro pasuri.