http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Partia Socialiste bën gati listën e kandidateve të saj për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Për rreth 5 orë e gjysmë, kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, ka pritur në zyrën e tij, deputetët e tij sipas qarqeve, për të zyrtarizuar emrat që do jenë në garë. Pas takimeve, ligjvënësit socialiste kane lexuar emrat e kandidateve per kryebashkiake. Ata theksuan se kandidaturat u bene publike pas marrjes se mendimeve nga baza e partisë dhe diskutimeve me shoqërinë civile.Kryeministri Rama, theksoi rëndësinë e procesit të përzgjedhjes së kandidaturave, duke marrë shkas nga harta e re territoriale, e cila ka shndërruar vendin me 61 njësi bashkiake. Por, përzgjedhja e kandidatëve është kritikuar nga deputeti Ben Blushi. Deklaratë të cilën kreu i qeverisë e anashkaloi. Akuzave të opozitës, se në radhët e kandidatëve socialistë ka persona me precedentë të dyshimtë, Rama iu përgjigj duke kujtuar vendimin e Gjykatës ndaj kandidatit zyrtar të demokratëve Xhelal Mziu, për Bashkinë Kamëz. Ndërkohë, është vendosur që emrat për kandidatët për kryebashkiakë në qarqeve Tiranë, Vlorë dhe Lezhë, të shqyrtohen ditët në vijim. Pasi PS të bëjë publike të gjitha emrat e kandidateve, do të zhvillohet një takim konsltativ me aleatin kryesor LSI dhe të tjera parti pjesë e koalicionit, për të dhënë vlerësimet mbi këto emra dhe për të vendosur përfundimisht se cilët do të jenë përfaqësuesit e aleancës së majtë për zgjedhjet e 21 qershorit. LSI i janë lënë 15 bashki, për të cilat do të ketë të drejtën e propozimit të emrave për kandidatë.