http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Pas takimit historik në Prizren të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, në Tiranë mbahet mbledhja e radhës e përbashkët mes dy vendeve. Synimi i këtij takimi është thellimi i bashkëpunimit ekonomik, politik e kulturor mes dy shteteve, me qëllim final përshpejtimin e procesit të integrimit për në institucionet euroatlantike. Sikurse parashikohet në agjendën e publikuar nga pala shqiptare, kabineti qeveritar i Kosovës mbërrin rreth orës 10: 40 në Pallatin e Kongreseve ku do të mbahet dhe ceremonia zyrtare e mirëseardhjes. Ajo do të pasohet nga takimi i përbashkët i dy qeverive dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve dypalëshe. Kjo mbledhje përmbyllet nga një konferencë e përbashkët mes dy kryeministrave, Rama e Mustafa, që pritet të mbahet rreth orës 12 e 20. Në prag të këtij takimi, kryeministri Isa Mustafa thekson se bashkëpunimi me Shqipërinë është prioritet i qeverisë së tij pasi ajo është në interes të forcimit të faktorit shqiptar ne rajon. ?Për qeverinë që unë drejtoj, prioritet është bashkëpunimi me Shqipërinë, përmes një politike të bashkërenditur për interesat tona të përbashkëta, për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike. Dy shtetet tona, kurrë deri më tash nuk e kanë pasur situatën më të përshtatshme në shtëpi, por edhe atë rajonale e ndërkombëtare, që të krijojnë politika të përbashkëta në të gjitha fushat, që na lidhin dhe i bëjnë marrëdhëniet tona dypalëshe të veçanta?. Agjenda e këtij takimi është përcaktuar gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm Bushati në Prishtinë gjate muajit shkurt. Mbledhja e parë e përbashkët e dy qeverive është mbajtur në qytetin e Prizrenit rreth një vit me pare.