Pretenca: Burg përjetë Arben Frrokut - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-28 2

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në një pretencë të gjatë prej 70 faqesh Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi burg përjetë për Arben Frrokun të dyshuarin kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj dy vite më parë. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda konkluzionet e prokurorisë u shpallën në mungesë të të akuzuarit, edhe pse masat e sigurisë ishin shtuar si asnjëherë tjetër. Gjatë seancës me dyer të mbyllura mes të tjerash prokuroria dha detaje dhe nga dëshmia e Fatmir Vladit prova e vetme e fortë në procesin ndaj Arben Frrokut. Mësohet se dëshmitari i mbrojtur të ketë thënë se Arben Frookun e njihte shumë mire vizualisht pasi kishte punuar për familjen e tij e më konkretisht për Mark Frokkun në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2009. Në dëshminë e tij Vladi ka dhënë detaje dhe mbi veshjen e Arben Frrokut pasditen e 24 shkurtit të vitit 2013. Sipas tij Frroku ka qenë në vendngjarje i veshur me pallto të zezë ndërsa në kokë mbante kapuç. Po të njëjtën pallto sipas Prokurorisë i akuzuari e mbante të veshur dhe në pikën e kalimit kufitar, ndërsa mbi të është gjendur barut si dhe elementë të tjerë të qitjes së armës. Por sipas avokatëve mbrojtës dëshmia e Vladit nuk mund të merret për bazë pasi ai u dekonspirua dhe ka dyshime se është paguar nga prokuroria. Nga ana tjetër vetë dëshmitari i mbrojtur ka thënë se ai nuk ka qenë asnjëherë person me precedentë penalë por ish pjesëtar i forcave speciale. Në momentin e vrasjes Vladi ka thënë prokurorëve se menjëherë ka marrë targën e automjetit ndërsa ka lajmëruar policinë. Pas dekonspirimit të tij nga vetë i akuzuari Frroku,dëshmitari i mbrojtur është dërguar jashtë vendi.Arben Frroku nuk e pranon akuzën ndërsa ka deklaruar se ditën e ngjarjes ai ishte në Kapshticë pasi po shkonte në Greqi. Për të rrëzuar këtë alibi, gjykata bëri edhe eksperimentin i cili hodhi poshtë thëniët e tij ndërkohë që Frroku kërkoi marrjen si provë dhe të qelizave të celularit të tij për të provuar se nuk ka qenë aty kur ndodhi krimi i rëndë.