http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Tensionet mes mazhorancës dhe opozitës u reflektuan dhe në takimin e tetë të Komitetit Ndërparlamentar Shqipëri-BE. Që në nisje aktiviteti u shoqërua me debate të ashpra mes përfaqësuesve të opozitës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Kanë qenë deputetët e Partisë demokratike Fatmir Mediu dhe Aldo Bumçi, të cilët kërkuan të flasin duke iu shmangur axhendës së përcaktuar. E gjendur përballë kësaj situate ambasadorja e Bashkimit Evropian Romana Vlahutin tha se në Shqipëri mungon dialogu politik i cili mund ta penalizojë vendin tonë. Më pas në fjalën e saj deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu solli në vëmendje shqetësimet e opozitës për emërimet dhe largimet në administratë të cilat në disa raste kanë shkaktuar dhe vetëvrasje. Në tryezën e punës së parlamentarëve shqiptarë dhe atyre evropianë ishte drafti paraprak i negociuar mes Shqipërisë dhe BE, i cili përmban 14 pika në formë rekomandimesh të cilat do t?i adresohen Këshillit të Stabilizim-Asociimit të BE. Në draft nënvizohet dhe Implementimi i plotë i marrëveshjes mes PD dhe PS për dekriminalizimin, ndërkohë që shprehet shqetësim për zhvillimet e fundit lidhur me akuzat kriminale të bëra nga deputetë të Parlamentit shqiptar.