Kontrollet e “Crown Agents” - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-28 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Mbase të gjithë janë kuriozë të dinë se çfarë kontrolli bëjnë punonjësit e agjentëve doganorë, kur ndalojnë makinat në rrugë. A kanë të drejtë ata të kontrollojnë automjetet, apo këtë të drejtë e ka vetëm policia? Vizion Plus vendosi që të shkojë dhe të shohë nga afër punën e tyre.Që prej nisjes së punës nga Crown Agents, kemi parë që me anë të këtij vendimi të marrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Doganave të ngrihen grupe pune, të cilët kontrollojnë në terren subjekte të cilat mund të shmangin pagesën e TVSH-së ose akcizës. Që prej një viti, agjentët e Crown Agents kanë filluar të kontrollojnë në terren makina me targa të huaja. Grupi përbëhet nga një punonjës policie, dy punonjës të doganave dhe një këshilltar ndërkombëtar. Këto aksione bëhen jo vetëm për të rritur të ardhurat, por edhe për të shtuar sigurinë publike.Graham Main na tregon këto fotografi. Janë raste të paprecedenta që biznese të ndryshme përdorin makina të paregjistruara, të pa kolauduara dhe në shumë raste ato kryejnë edhe transport publik, si ky furgon këtu, i cili transporton fëmijët për në shkollë.Fillimisht përpiqemi të verifikojmë nëse automjeti qëndron ligjërisht në Shqipëri. Kjo është shumë e thjeshtë sepse automjetet me targa të huaja që hyjnë në Shqipëri duhet të zbatojnë disa rregulla. Kemi kapur një numër të madh automjetesh me targa të huaja të kontrabanduara, si edhe automjete që kanë shkelur rregullat e Regjimit të Lejimit të Përkohshëm. Në këndvështrimin tonë nuk ka mbivendosje me Policinë. Praktikisht, Kodi Doganor dhe Dispozitat Zbatuese të tij na lejojnë të kryejmë kontrolle të automjeteve në rrugë për të përcaktuar nëse atyre u lejohet të qëndrojnë në këtë vend dhe nëse duhen mbledhur detyrime apo taksa. Vetëm në Tiranë janë bllokuara 40 makina, ndërsa në të gjithë Shqipërinë, numri shkon deri në 850. Menaxheri operacional na thotë se makinat të cilat paguajnë penalitetet mund të merren brenda ditës, ndërsa për ato të cilat janë të vjedhura vijohen procedurat ligjore, duke u shitur në ankanda ose duke u shkatërruar. Fillimisht, në të tilla raste, këto automjete gjithnjë i bllokojmë. Për sa na takon, ne e dimë që nuk qarkullojnë në mënyrë të ligjshme nëpër rrugë, nuk janë të siguruara, kështu që i shoqërojmë tek Dega Doganore më e afërt. Pas procedurës së bllokimit, ne kryejmë hetime të cilat mund të rezultojnë në gjoba dhe në shumicën e rasteve në detyrim për të paguar të gjitha taksat doganore për importin e automjetit në Shqipëri. Të vetmit individë që kontrollohen janë ata me targa të huaja. Nëse personi që drejton automjetin është shtetas ose rezident në Shqipëri, ai nuk ka të drejtë të qarkullojë me një makinë të tillë. Gjobat variojnë nga 2 deri në 5-fishin e detyrimeve që janë shmangur.