http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në mbledhjen e parë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë të kryesuar nga guvernatori i ri Genti Sejko janë shkarkuar nga puna drejtorët e katër departamenteve kryesore, të cilat lidhen me vjedhjen e thesarit të bankës së shtetit. Bordi i bankës ka mbështetur propozimin e Sejkos për të hequr nga detyra drejtuesin e departamentit të mbikëqyrjes bankare e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me mënyrën se si monitorohen bankat e nivelit të dytë dhe ka vënë në këtë post Deniz Derallën, po ashtu në krye të administrimit të brendshëm është vënë Jonida Mero, ndërsa janë ndryshuar edhe shefat e departamentit të teknologjisë dhe burimeve njerëzore.Këto ndryshime janë kryer në kuadër të përmirësimeve organizative në Bankën e Shqipërisë, duke synuar rritjen e efektivitetit të këtyre departamenteve dhe përcjelljen e një fryme të re në përmbushjen e funksioneve kryesore të institucionit. Gjithashtu, nëpërmjet këtyre ndryshimeve do të synohet një administrim dhe mbarëvajtje më e mirë e shërbimeve logjistike dhe burimeve njerëzore në Bankën e Shqipërisë. Burime për Vizion Plus thonë se akoma nuk është marrë një vendim nëse do të ketë ndryshim në drejtuesit e departamentit të emisionit dhe të sigurisë e mbrojtjes së bankës, deri tani ata vijohet të drejtohen nga persona të komanduar. vetë guvernatori i ri ka premtuar se do të nisë punën duke filluar auditin në bankë e pikërisht në departamentin e thesarit, por kjo për momentin nuk është e mundur pasi nuk është zgjedhur ende inspektori i përgjithshëm. Në punën e saj banka e shqipërisë ka marrë vendim që të ketë më pak fokus të mbledhjeve të bordit te politika monetare, dhe të përqendrohet më shumë se më parë në departamente të tjera të cilat lidhen me sigurinë e thesarit dhe pakësimin e fitimit që pritet të ulët sërish këtë vit si pasojë e uljes së interesave të euros nga BQE.