http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë të hetojë nëse ka apo jo abuzim dhe marrëveshje të fshehta mes firmave që tregtojnë karburante në Shqipëri. Në një intervistë për Vizion Plus, kryetarja e këtij autoriteti thotë se duhet më shumë kohë dhe ndryshime ligjore që të depërtosh në këtë treg dhe të kapësh shkelje të mirëfillta të konkurrencës. Lindita Milo shprehet se shumë shpejt do të ngrihet njësia e transparencës së tregut, e cila do të detyrojë kompanitë e karburanteve që të raportojnë në kohë reale çmimet. Në një vendim të marrë dy ditë më parë, autoriteti i konkurrencës konkludoi se në tregun e naftës në Shqipëri ka abuzime të firmave në dëm të konsumatorit, por nuk pati asnjë penalitet për shkak se nuk u gjetën fakte të pakontestueshme. Hetimi nëse ka apo jo marrëveshje kartel mes importuesve të naftës në vendin tonë zgjati për një vit. Në konjukturën e çmimit, Milo sqaron se nuk ndikon vetëm njehsimi i mundshëm mes kompanive, por edhe cilësia e karburanteve dhe vjedhja në sasi e naftës nga pikat e karburanteve. në raportin e tij, autoriteti konkludoi në marzh të ulët të fitimit, gjë e cila hap dyshime për bilancet e këtyre kompanive. Në total janë tre firma që importojnë naftë nga jashtë në vendin tonë, dhe katër të cilat e shesin këtë produkt me shumicë në pikat e furnizimit me karburant.