http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi burg pa afat për 4 të arrestuarit e dosjes Kokaina. 2 vëllezërit Kelmend e Arjan Dalipi, Saimir Batku dhe Gentian Gjonaj nuk pranuan të flasin gjatë caktimit të masës së sigurimit. Një dite me pare të njëjtin vendim Gjykata mori dhe për Ermal Hoxhen, Ilir Hysenin, Kastriot Imerin dhe dy kolumbianet. Nga deklarimet e dhëna për oficerët e policisë gjyqësore Valter Moreno dhe Cesar Avila nxorën dhe një tjetër emër të panjohur për hetuesit. Ata i thanë gjyqtares se ishin njohur me një kolumbian me shtetësi Holandeze në Bogota me emrin Karlos, i cili i kishte ofruar punë në Shqipëri. Pas mbërritjes në Tiranë sipas kolumbianëve Karlos i ka dhënë rreth 9 mijë euro për qëndrimin dhe punën në laboratorin e drogës në Xibrakë. Nga deklarimet e tyre Karlos ka qenë gjithnjë prezent në laboratorin e drogës, por edhe në momentin e arrestimit çka ka bërë hetuesit të dyshojnë se ky është një emër fiktiv i përdorur nga një prej të ndaluarve. Nga ana tjetër një urdhër ndërkombëtar arresti është lëshuar për Genc Xhixhën, pasi dyshohet të jetë kreu i rrjetit të kokainës që u godit të mërkurën në Shqipëri. 39-vjeçari jeton në Kubë, në qytetin e Holguinit, së bashku me bashkëshorten e tij kubaneze. Prokuroria beson se ai qëndron pas rrjetit që kishte ngritur edhe laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë. Hetuesit kanë zbuluar se në llogaritë e tij bankare janë derdhur shuma të mëdha parash nga disa prej të arrestuarve. Nga verifikimet Xhixha rezulton të jetë dhe mik i Ermal Hoxhës, nipit të ish -diktatorit Enver Hoxha, që konsiderohet si financuesi i rrjetit. Kjo është provuar dhe nga rrjetet sociale ku Xhixha ka postuar foto të Hoxhës dhe ka qenë nën shoqërinë e tij. Nga deklarimet policia është vënë në ndjekje dhe të një gruaje e identifikuar me emrin Pranvera e cila rezulton të jetë njeriu kyç në transportin e kokainës drejt Gjermanisë. Emri i saj është përmendur nga autoritetet gjermane pasi dyshohej se mbante lidhje të ngushta me Ilir Hysenin, i cili njihej edhe me emrin Bali Meta.