http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Jemi në mesin e sezonit dimëror dhe në shkollat dhe kopshtet e kryeqytetit fëmijët janë ende pa ngrohje. Në një kohë kur sistemi i ngrohjes duhet të ishte vënë në funksion zyrtarisht që në 16 nëntor, kaldajat punojnë me ditë të caktuara ose nuk ndizen fare. Vetëm një muaj më parë, në 111 objekte shkollore nga 142 në total në të gjithë kryeqytetin janë pajisur me impiante ngrohëse nga bashkia që funksionojnë me lëndë djegëse peletë apo të njohur ndryshe si tallash i presuar. Drejtuesit e shkollës shprehen se ndezjen e tyre e bëjnë vetëm kur është ftohtë, kjo për të kursyer lëndën e parë. Përgjegjëse për sigurimin e ngrohjes në kopshtet dhe shkollat publike Bashkia e Tiranës e pranon situatën. Drejtori i ndërmarrjes nr. 3 thotë se u ka kërkuar drejtuesve të këtyre institucioneve të konsumojnë sa më pak lëndë djegëse pasi sipas tij furnizimi me peletë është i pamjaftueshëm për të përballuar të gjithë sezonin. Kjo si pasojë e mosmiratimit nga këshilli bashkiak të fondit prej 20 milionë lekësh të reja në buxhetin e vitit të ardhshëm. Nëse Këshilli Bashkiak nuk e miraton buxhetin e vitit 2015, 100 mijë nxënësit dhe punonjësit e shkollave e kopshteve në tiranë do të vijojnë të shpresojnë që dimri të jetë sa më i butë.