http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Mjafton te dalësh pak nga qendra e kryeqytetit dhe kupton se gjendja e shkollave në vend është alarmante. Një studim i fundit që i është dorëzuar ministrisë së arsimit tregon se fëmijët kryesisht në zona rurale braktisin mësimin për mungesë të kushteve higjeno-sanitare. I shtrirë në 6 rrethe të vendit studimi ka konstatuar se në një kampion prej 18 shkollash në 11 prej tyre tualetet ishin në gjendje të keqe dhe numri i tyre ishte i pamjaftueshëm në raport me numrin e nxënësve siç janë rastet në rrethin e Sarandës apo të Fierit. Ndërsa në shkollat e rretheve si Shkodra, Pogradeci apo Kukësi, jo vetëm mungojnë bibliotekat dhe kompjuterët, por nuk ka fare furnizim me energji elektrike. Ndërsa oborret përpara shkollës shërbejnë në vend të palestrave. Megjithatë si problem kryesor është veçuar mungesa e transportit që në shumë raste sjell efektin ekstrem të braktisjes së shkollës. Sipas zëvendës ministres së Arsimit Nora Malaj kjo gjendje është krijuar si pasojë e boshllëqeve ligjore në arsimin parashkollor ku koncepti i transportit të nxënësve nuk ekziston. Në të gjitha shkollat e komunave të marra në studim prindërit kanë shprehur pakënaqësitë mbi nivelin e ulët në cilësinë dhe përmbajtjen e teksteve shkollore. Sipas tyre tekstet janë të ngarkuara dhe janë parë si jo të përshtatshme për moshën e fëmijëve.