http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Policia e Kosovës, përmes një operacioni që zgjati gjatë gjithë natës, arrestoi 40 persona të dyshuar si anëtarë të grupeve ekstremiste ISIS dhe Al Nusra, që veprojnë në Irak dhe Siri. Forcat policore, pas hetimeve disa mujore në bashkëpunim edhe me Prokurorinë, veproi, pasi siç thuhet, po rrezikohej siguria kombëtare e Kosovës, rendi kushtetues dhe ruajtja e rendit dhe e të drejtave të njerëzve që garantohet nga Kushtetuta e Kosovës. Gjatë këtij aksioni janë bastisur rreth 60 vende të ndryshme në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë e Mitrovicë. Të arrestuarit tashmë po merren në pyetje, pasi dyshohen si të përfshirë në veprimtaritë e grupeve ekstremiste në Lindjen e Mesme. Në cilësinë e provave janë sekuestruar armë, municione dhe eksploziv. Ndërkohë që pritet të ketë edhe arrestime të tjera. Aksionin e e së hënës e ka përshëndetur Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, si dhe kryeministri Thaçi, të cilët përmes komunikatave për mediat shprehën vendosmërinë e shtetit të ri për të luftuar ekstremizmin. Mendohet se dhjetëra shtetas të Kosovës janë rekrutuar nga këto grupime militante në Siri dhe Irak, duke luftuar në emër të fesë. Shumë prej tyre kanë humbur jetën në atë që këta persona e cilësojnë xhihad.