Qeveria: “Ndëshkim shëmbullor për fajtoret” - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 0

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Në mbledhjen e kësaj të mërkure këshilli i ministrave ka diskutuar me shqetësim këtë ngjarje të rëndë duke kërkuar nga prokuroria hetim të gjithanshëm dhe të shpejt për të vënë përpara drejtësisë këdo që është përfshirë në grabitjen e parave. Qeveria e sheh këtë akt si një sfidë të madhe për vet pavarësinë dhe sigurinë e bankës qendrore përmes rishikimit të gjithë mekanizmave që e garantojnë atë. Por ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe Qeverinë, që të analizojnë e të konkludojnë në mënyrë konstruktive e në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore për të garantuar, në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence të veprimtarisë së këtij institucioni kyç për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar. Për qeverinë marrja e statusit të vendit kandidat në BE përvec vendosmërisë për të luftuar krimin dhe korrupsionin kërkon edhe forcimin e pavarësisë së institucioneve që njihen nga Kushtetuta si të tilla. Prandaj sot, duke mirëkuptuar shqetësimin publik për ngjarjen e rëndë në Bankën e Shqipërisë dhe duke u bashkuar me këtë shqetësim legjitim, Qeveria e Shqipërisë e çmon me rëndësi po aq të madhe qoftë nevojën e një ndëshkimi shembullor nga drejtësia për fajtorët, qoftë nevojën e një qëndrimi shembullor të saj në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë. Duke ndjekur me vëmendje ecurinë e veprimit të organeve të drejtësisë për zbardhjen e plotë të këtij krimi qeveria ka shprehur vendosmërinë për të dhënë mbështetjen e saj për çdo nismë që garanton sigurinë e funksionimit të bankës së shtetit shqiptar.