“CEZ tek shteti, me humbje të mëdha” - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 3

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Edhe pse opozita ka disa ditë që akuzon qeverinë se ka varfëruar shqiptarët duke pranuar konsensus me palën çeke për çështjen e kompanisë CEZ shpërndarje, dokumente nxjerrin në dritë fakte të kundërta të cilat provojnë se Shqipëria do të paraqitej dobët në arbitrazhin ndërkombëtar. Avokati i kontraktuar nga vendi ynë për procesin e arbitrazhit ndërkombëtar Hamid Gharavi, në një komunikim me ministrin e energjisë Damian Gjiknuri më 20 maj të këtij viti, shprehet se Shqipëria ka shumë pak shanse të fitojë arbitrazhin për shkak se nuk ishte bërë vlerësimi i situatës ku kompania ceke kishte lënë sektorin e shpërndarjes. Certifikimi i vlerës së aseteve të CEZ 9 muaj më vonë ishte një minus i madh. Po ashtu Gharavi në letrën e tij rendit një tjetër kundërargument që Praga do të përdorte kundër Shqipërisë. ky raport i audit financiar nxjerr se vlera e kompanisë CEZ në fund të vitit 2013-të ishte më negative se gjatë kohës së administrimit të çekeve. Në momentin që CEZ-i u morr të administrohej nga shteti ynë, bilanci i saj u thellua me 270 milion dollarë më shumë. Raporti i auditit financiar i cili konstatoi zhytjen e bilanceve të sektorit të shpërndarjes me vlera prej miliona dollarësh do të bënte që pala shqiptare në arbitrazhin ndërkombëtar të humbte pikë. Kjo pasi nëse Shqipëria do të ankohej për heqje të licencës për shkak se CEZ nuk kishte kryer investimet, çekët do të shpreheshin se nuk i ishin krijuar kushtet e tilla pasi shumë institucione shtetërore rezultonin debitore ndaj saj, po ashtu çekët vërtetonin edhe pjesën që vetë shteti shqiptar nuk mund të administronte më mirë sektorin energjetik.