http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
E ardhmja e sektorit energjetik është privatizimi i kompanisë që bën shpërndarjen. Në një intervistë për Vizion Plus, ministri i energjisë Damian Gjiknuri sqaron se viti 2015-të do të nisë me një reformë totale në këtë sektor. Ajo përfshin jo vetëm ndarjen e konsumatorëve të cilët janë të lidhur në linjat mbi 35 kv, por edhe ristrukturimin e kompanisë CEZ. Tashmë që parlamenti pritet të miratojë edhe marrëveshjen me palën ceke, Gjiknuri thotë se po shihen mundësitë që shteti t'i lerë në dorë privatit të menaxhojë zonat të cilat janë problematike në arkëtime dhe vjedhje. Në vitin 2015-të konsumatorët do të paguajnë çmime të ndryshme të energjisë. Ajo nuk do të shitet me dy shkallë, por do të ketë një fashë të vetme. Ministri Gjiknuri thotë se në asnjë rast nuk do të dëmtohet konsumatori familjar. Një nga gropat më të errëta ne buxhet në këto 20 vite, ka qënë pikërisht sektori i energjisë. Sot, vlera ekonomike e aseteve të kompanisë CEZ është me humbje, pra me bilanc negativ. Sa do të jetë në gjendje CEZ që të paguajë jo vetëm borxhet ndaj KESH-it dhe kompanive të tjera ndërkohe qe i duhet të japë edhe 95 milion euro për çekët? Deri tani 36% e energjisë që CEZ shpërndan, humbet për shkak të amortizimit të rrjetit dhe po kështu edhe arkëtimet, ndonëse janë rritur krahasuar me një vit më parë nuk janë në nivelin e duhur. Për të rregulluar këtë sektor banka botërore do të japë 150 milion dollarë.