Shqiptarët, çdo ditë protesta - News, Lajme - Vizion Plus

2015-11-26 1

http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Protestat e shqiptarëve në Maqedoni nuk do të ndalen vetëm me ngjarjet e fundjavës që shkoi. Në rrjetet sociale, bëhet thirrje që çdo ditë në orën 14:00, qytetarët në qendrat kryesore të banuara nga shqiptarë, të dalin në rrugë e sheshe kundër padrejtësive, siç thuhet, të shtetit. Por kërkesa kryesore mbetet ajo për lirimin e të dënuarve për rastin "Monstra". Sipas tyre, dënimi i gjashtë shqiptarëve me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Shkupit javën që kaloi, është i padrejtë dhe i pabazuar në fakte. Ata akuzohen për vrasjen e pesë maqedonasve në prill të vitit 2012.Gjatë të premtes dhe të shtunës, nga manifestimet e shqiptarëve në Shkup, u shënuan dhjetëra të lënduar, si dhe pati arrestime. Shqiptarët akuzojnë policinë maqedonase se ka provokuar turmat, para se situata të degradonte në përleshje. Pamjet e dhunës kanë bërë xhiro në internet dhe televizione, duke shtuar edhe më shumë zemëratën në popullsinë shqiptare në Maqedoni e më gjerë. Ndërsa gjatë së dielës, pati një organizim më të gjerë protestash. Veç Shkupit, manifestime u zhvilluan edhe në Tetovë, Strugë, Ohër, Gostivar e Dibër. Në Tetovë pati edhe tensione, kur turmat e njerëzve u përplasën me policinë, pasi kërkonin të futeshin në mjediset e selisë së partisë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim. Tubuesit e akuzojnë kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, se i ka tradhtuar idealet e kohës së konfliktit të vitit 2001 për të drejtat e shqiptarëve. Nga përleshjet 10 persona u lënduan lehtë. Sakaq, ndërsa ka marrë masa për protestat e radhës, me forca të shtuara policore nëpër qytete, Ministria e Brendshme e Maqedonisë, njofton edhe për hetimet e deritanishme për përplasjet e dhunshme. Sipas Ministrisë, deri tani siç thuhet janë ngritur kallëzime penale ndaj rreth 10 personave, ndërsa mbi 80 të tjerë janë në procedurë verifikimi.