http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Hashashi në Lazarat nuk ka të sosur. Edhe këtë të dielë policia e ka mbyllur ditën me një bilanc të renduar: ka gjetur e asgjësuar rreth 2.7 ton marijuane si dhe rreth 20 mijë bimë kanabisi. Jo vetëm kaq. Në një banesë u gjet edhe 1.3 lëndë narkotike çokollatë, dëshmi tjetër kjo e sofistikimit të punës së narkotrafikantëve. Kjo e dielë shënon njëkohësisht dhe mbylljen e një jave aksioni të jashtëzakonshëm të policisë shqiptare. Në 7 ditë shkatërrohen mbi 41 ton hashash me vlerë mbi 50 milionë euro. Por disa prej atyre që e mbanin peng Lazaratin me industrinë e drogës dhe nën kërcënimin e armëve ende nuk janë kapur. Tre të dyshuarit e fundit u arrestuan gjatë natës, të dyshuar si pjesë e grupit të zjarrit. Të tjerët e shpallur në kërkim po ndiqen në Malin e Sopotit. Por Lazarati i ngjan edhe një depoje të madhe armatimi. Në shumë prej shtëpive të kontrolluara janë gjetur armë. Se fundmi, policia sekuestroi 37 automatikë e pushkë, dy pistoleta, 2 granthedhës, 1 antitank, 1 mitroloz i lehtë e 3 armë gjahu. Veç tyre dhe armë të tjera të djegura nga trafikantët, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimit: 1 granatahedhës, 2 mitroloz, 8 automatikë e një pushkë. Sa i takon fishekëve, granatave dhe predhave, ato thuajse nuk numërohen. E ndonëse hashashi konsiderohej "floriri" i Lazaratit, dikush në fshat nuk është ngopur, duke u pajisur me një aparat për kërkimin e floririt, tashmë të sekuestruar nga policia. E diela është ditë pushimi, por në Lazarat kjo ndihet ndryshe për shkak të rrugëve të shkreta. Shumëkush ka zgjedhur të ike për disa ditë, e dikush të qëndroje brenda shtëpive. Ata që dalin kërkojnë dënimin e krimineleve dhe në fund, edhe punë. Drejt kthimit në normalitet, Lazarati ka lëne pas një nga javët më të tensionuara qëkurse vendosi të sfidonte shtetin e të bëhej "parajsa" e hashashit.